Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Genti Gazheli, priti sot në një takim përfaqësues të Këshillit të Europës në kuadër të nisjes së projektit të ri teknik “Forcimi i luftës kundër pastrimit të parave në Shqipëri”, bashkëfinancuar nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) dhe Këshilli i Europës.
Ky projekt synon të mbështesë autoritetet shqiptare në forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, përmes një qasjeje strategjike dhe të bazuar në vlerësimin e riskut.
Drejtori i Përgjithshëm, z. Gazheli, vlerësoi mbështetjen e Këshillit të Europës dhe theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi. Ai nënvizoi se projekti i ri vjen në një moment të përshtatshëm, në mbështetje të zbatimit të Strategjisë Kombëtare kundër Pastrimit të Parave dhe për forcimin e kapaciteteve të institucioneve, përfshirë Doganën, në luftën kundër aktiviteteve financiare të paligjshme.
Gjatë takimit u diskutua mbi mënyrat e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin që Dogana Shqiptare do të ketë në zbatimin e komponentëve të projektit, me qëllim forcimin e transparencës, rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit në luftën kundër veprimtarive të paligjshme financiare.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Divizioni për Krimin Ekonomik i Këshillit të Europës, znj. Zahra Ahmadova, znj. Helene Fosset, znj. Arvena Deda, si dhe ekspertë ndërkombëtarë të përfshirë në zbatimin e projektit.
Dogana Shqiptare mbetet plotësisht e angazhuar të bashkëpunojë ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për forcimin e integritetit institucional, transparencës dhe mbrojtjes së ekonomisë nga rreziqet që lidhen me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.