Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Genti Gazheli, zhvilloi sot një takim me Drejtorin e Sekretariatit të Komunitetit të Transportit (Transport Community), z. Matej Zakonjšek.
Gjatë bisedës u shkëmbyen mendime mbi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe rëndësinë e koordinimit mes doganave dhe strukturave të transportit për të lehtësuar qarkullimin tregtar dhe për të përmirësuar lidhjet ndërkufitare në rajon.
Takimi u fokusua gjithashtu në vijimin e nismave të përbashkëta për zhvillimin e Green Lanes dhe përmirësimin e efikasitetit në pikat e kalimit kufitar, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për një rajon më të lidhur dhe me procedura më të shpejta.
Ky takim nënvizoi angazhimin e Doganës Shqiptare për të vijuar bashkëpunimin me Komunitetin e Transportit dhe partnerët rajonalë në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta për rritjen e efikasitetit të korridoreve tregtare dhe përmirësimin e lidhjeve ndërkufitare.
Përmes këtyre nismave, Shqipëria konfirmon rolin e saj aktiv në proceset që synojnë integrimin më të plotë të rajonit me tregun e Bashkimit Evropian dhe modernizimin e procedurave të tregtisë dhe transportit.
Komuniteti i Transportit është një organizëm ndërkombëtar që bashkon Bashkimin Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, me qëllim integrimin e tregjeve të transportit të rajonit me atë të BE-së, përmes harmonizimit të legjislacionit, standardeve teknike, sigurisë dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta infrastrukturore.