Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave me vizionin për modernizimin e shërbimeve nëpërmjet digjitalizimit, në kuadër të thjeshtimit të procedurave dhe lehtësimeve doganore, fton bizneset të aplikojnë për statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar (OEA).
Këtë lehtësi e përfitojnë kryesisht operatorët ekonomikë që kanë besueshmërinë e duhur ndaj autoriteteve fiskale, aftësi paguese financiare, sisteme efikase menaxhimi, sigurie, auditimi, politika të qarta personeli dhe operojnë me partnerë seriozë në të gjithë zinxhirin e veprimtarisë së tyre.
Përfitimet e këtij statusi sjellin një trajtim të favorshëm dhe prioritar në vlerësim të riskut dhe kontrolleve doganore si dhe akses në përdorimin e të gjitha thjeshtimeve dhe lehtësive që parashikon legjislacioni doganor.
Njohja reciproke e Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar nga autoritetet doganore në të gjitha vendet e rajonit konsiderohet një mundësi e madhe për zhvillimin e biznesit në tregun rajonal dhe në të ardhmen më gjerë në atë europian.
Në një treg të hapur për tregtinë ndërkombëtare, ky status është një prezantim dinjitoz i biznesit tuaj dhe i mundëson mbajtësit (përfituesit) përdorimin e logos (AEO) në dokumentacionin tregtar duke i siguruar një përfaqësim dinjitoz tek partnerët ndërkombëtarë në biznes apo avantazh ndërkombëtar.
Për çdo pyetje, sugjerim apo ndihmesë teknike për aplikimin tuaj dhe dokumentacionin që duhet të paraqisni për marrjen e statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar, lutemi kontaktoni: lehtesimedoganore.dpd@dogana.gov.al
Bashkëngjitur do të gjeni fletëpalosjen me pyetjet më të shpeshta për statusin OEA dhe më poshtë link-u ku mund të gjeni informacione shtesë mbi OEA-të në website-n zyrtar të DPD: https://dogana.gov.al/c/170/284/operatoret-ekonomike-te-autorizuar .