Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Dega e Doganës Durrës kreu pezullimin e një sasie prej 616 koli me Lemon Soda Dr Fruit që dyshohen se cënojnë të drejtën e pronësisë intelektuale, konkretisht artikulli pije freskuese, me mbajtës ekskluziv “Eurolab Internacional Grup shpk” për markën tregtare “Lemon Soda”.
Kjo degë informoi strukturën e specializuar të ADSH, Drejtorinë e Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale, e cila u angazhua nga afër për këqyrjen e mallit dhe marrjen e mostrave. Vendimi Nr. 651, datë 10.11.2017, i Këshillit të Ministrave, “Për Dispozitat Zbatuese të Ligjit nr. 102/2014, Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, Neni 364, pika 3 (d) përcakton se “Mallra të falsifikuara”, nënkupton: mallra, të cilat janë objekt i një veprimi që shkel një markë tregtare dhe pa lejen e mbajtësit të së drejtës mbajnë një shenjë identike me markën tregtare të regjistruar rregullisht për të njëjtat lloje mallrash, ose që në thelb është e padallueshme nga kjo markë”.
Pas një ekzaminimi nga afër nga struktura e specializuar lindi një dyshim i arsyeshëm që këto mallra mbanin mbishkrimin “Lemon with Soda”, e cila në thelb ishte e padallueshme me markën tregtare “Lemon Soda” të regjistruar për territorin Shqiptar, si dhe informoi përfaqësuesin ligjor të të liçensuarit ekskluziv të markës tregtare “Lemon Soda”.
Përfaqësuesi ligjor i të licensuarit ekskluziv të markës tregtare “Lemon Soda”, ka konfirmuar me shkrim bazuar në nenin 384 (1) (a) (b) I VKM-së Nr. 651/2017 se: “Mallrat e pezulluar nga Dega e Doganës Durrës janë të kundraligjshme dhe shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale”, si dhe ka depozituar kërkesë-padinë në gjykatë.
Gjithashtu, DMPI verifikoi nëse mbishkrimi “DR FRUIT”, i cili ishte i vendosur tek artikujt e pezulluar, ishte markë e regjistruar për territorin Shqiptar në Databazën e Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale si dhe në sistemin e Madridit “WIPO”, (Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale). Nga verifikimi i kryer rezultoi se mbishkrimi “DR FRUIT” nuk ishte një markë e regjistruar për territorin Shqiptar.
Pasi u kryen të gjitha procedurat ligjore, Dega e Doganës Durrës mori vendim për konfiskimin dhe asgjësimin e mallrave të konfirmuara që kanë shkelur të drejtat e pronësisë intelektuale në sasinë prej 616 koli x 24 kanace x 330 ml me peshë bruto 5297 kg të mallit, pije freskuese që mbajnë markën tregtare “Lemon Soda Dr Fruit”.
ADSH mbetet gjithmonë e angazhuar në mbrojtjen e pronësisë intelektuale, si dhe të shëndetit publik.