Institucioni > Aktivitete të Administratës Doganore >
Drejtorët e Përgjithshëm të Doganave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shtetet anëtare të BE-së u takuan sot në Tiranë për Konferencën e Dytë të Nivelit të Lartë me temën "Partneriteti Doganor për një Evropë të Lidhur". Eventi shërbeu si një platformë kyçe për të përforcuar bashkëpunimin strategjik doganor, për të mbështetur qëllimet e Planit të Rritjes së BE-së dhe për të çuar përpara përafrimin e rajonit me standardet e BE-së.
Zv/Kryeministrja Belinda Balluku e cila përshëndeti Konferencën theksoi se, “Siç u miratua së fundi gjatë Komitetit Politik Europian të mbajtur në Tiranë, në 16 maj 2025, zgjerimi i Bashkimit Europian dhe vendet e Ballkanit, është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik i këtij unioni dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk ka të bëjë vetëm me prosperitetin, por edhe me vlerat kombëtare të secilit shtet”.
Ndërsa ministri i Financave Petrit Malaj theksoi se, “Sipërmarrjet tona do duhet të jenë të gatshme të konkurrojnë në tregun e BE dhe të japin kontributin e tyre për një ekonomi të fortë dhe të përbashkët. Duam që ndërmarrjet tona të tërheqin sa më shumë ivestime të huaja dhe të shtrihen në tregje të reja. Kjo kërkon një angazhim të vazhdueshëm”.
Në fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli nënvizoi se, “Përparësia jonë kryesore është krijimi i një sistemi efikas dhe transparent doganor që jo vetëm lehtëson tregtinë e ligjshme, por edhe forcon luftën kundër kontrabandës, trafiqeve dhe çdo forme tjetër të shkeljes së ligjit. Kjo kërkon modernizim dhe përsosje të vazhdueshme të sistemeve teknologjike, kapaciteteve menaxheriale dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”.
“Dixhitalizimi është në thelb të ndërtimit të Tregut të Përbashkët Rajonal”, deklaroi Edna Karadza, Menaxhere e Projektit SEED+ në Sekretariatin e CEFTA-s. “SEED+ është mjeti operacional pas iniciativës Korsitë e Gjelbra dhe Blu, duke shërbyer si shtylla kurrizore për shkëmbimin e të dhënave në kohë reale. Ai mundëson procedura doganore më të shpejta, më të zgjuara dhe më transparente, duke mbështetur objektivat kryesore të Planit të Rritjes së BE-së duke nxitur lidhshmërinë, modernizimin dhe integrimin me sistemet doganore evropiane”, deklaroi znj. Karadza.
Konferenca paraqiti tre diskutime në panel të fokusuara mbi prioritetet strategjike doganore. Paneli i parë trajtoi bashkëpunimin doganor midis Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve Anëtare të BE-së, duke theksuar sukseset dhe sfidat operacionale në shkëmbimin e të dhënave dhe harmonizimin rregullator. Paneli i dytë shqyrtoi Korsitë e Gjelbra dhe Blu, duke theksuar zgjerimin e tyre përtej kufijve CEFTA-BE dhe rëndësinë e SEED+ në sigurimin e shkëmbimit të të dhënave në kohë reale dhe ndërveprimit të sistemit. Në panelin e fundit u diskutua roli i doganave në mbështetjen e rritjes dhe zgjerimit të BE-së përmes procedurave të thjeshtuara, mbështetjes më të fortë ndaj biznesit dhe harmonizimit të përshpejtuar me standardet e BE-së sipas Planit të Rritjes së BE-së.
Konferenca konkludoi me miratimin e një Deklarate të Përbashkët, duke riafirmuar angazhimet e përbashkëta për të përshpejtuar harmonizimin me Kodin Doganor të Unionit, për të zgjeruar dhe institucionalizuar Korsitë e Gjelbra dhe Blu, për të përmirësuar shkëmbimin e të dhënave në kohë reale përmes SEED+, për të thelluar bashkëpunimin ndëragjencor dhe të biznesit dhe për të mbështetur hapat drejt njohjes së programeve të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (AEO).