Institucioni > Organizimi > Anëtarësimi në Organizma Ndërkombëtarë
Organizata Botërore e Doganave është e vetmja organizatë ndërqeveritare e fokusuar ekskluzivisht në çështjet doganore. Kjo organizatë dallohet kryesisht për punën në fusha që mbulojnë zhvillimin e standardeve globale, thjeshtimin dhe harmonizimin e procedurave doganore, sigurinë e zinxhirit të furnizimit tregtar, lehtësimin e tregtisë ndërkombëtare, iniciativat kundër kontrabandës dhe piraterisë, promovimin e integritetit dhe programe globale doganore për ngritjen e kapaciteteve.
OBD gjithashtu mban nomenklaturën ndërkombëtare për Sistemin e Harmonizuar të mallrave, dhe administron aspektet teknike të marrëveshjeve të Organizatës Botërore të Tregtisë, mbi vlerën doganore dhe rregullat e origjinës.
Historia e OBD-së fillon që në vitin 1947 kur 13 qeveri evropiane themeluan Grupin Studimor për të krijuar një ose më shumë Unione Doganore Ndër Evropiane, i cili pas shumë vitesh aktivitet dhe pas anëtarësimit në të, të shumë shteteve, në vitin 1994 e ndërroi emrin në Organizata Botërore e Doganave.
Tashmë OBD është zëri i 179 administratave doganore, që operojnë në të gjithë kontinentet, ¾ e të cilave janë vende në zhvillim. Anëtarët e OBD-së janë përgjegjës për kryerjen e 98% të tregtisë ndërkombëtare.
Shqipëria është anëtare e OBD-së që prej gushtit 1992, dhe që prej asaj kohe merr pjesë aktivisht në takimet e Këshillit të OBD-së, komiteteve dhe nën komiteteve, duke përfituar nga eksperiencat më të mira të vendeve të zhvilluara dhe duke i implementuar ato në sistemin tonë doganor.
Gjithashtu vendi ynë kontribuon me informacionin e vet në përgatitjen e raporteve vjetore dhe të analizave 6 mujore të vlefshme dhe gjithëpërfshirëse të OBD-së, për zbatimin e ligjeve të ndryshme dhe marrëveshjeve mbi shkeljet në fushën doganore.
Gjatë viteve të fundit, Dogana Shqiptare ka marrë pjesë intensivisht në programet e ndryshme trajnuese të OBD-së të cilat synojnë të investojnë tek menaxherët e mesëm me potencial të lartë dhe të zgjerojnë mundësitë, aftësitë dhe njohuritë e tyre, në mënyrë që të marrin pjesë aktivisht në procesin reformues dhe modernizues të administratës së tyre. Kandidatët tanë kanë demonstruar devotshmëri dhe kanë arritur me sukses të plotësojnë objektivat e këtyre programeve duke përgatitur raporte studimore dhe duke treguar njohuri teknike. Disa përfaqësues të administratës doganore shqiptare kanë qenë pjesë e Programit të Bursës së OBD-së.