Biznes > Përllogaritje detyrimesh doganore > Rregullat e Origjinës
Origjina preferenciale u jepet mallrave nga vendet e veçanta, të cilat kanë plotësuar kriteret e caktuara me qëllim përfitimin e trajtimit tarifor preferencial. Përfitimet tarifore jepen për mallrat e tregtuara në mes të vendeve të cilat kanë rënë dakord në marrëveshje, ose kur njëra palë e ka dhënë atë në mënyrë të njëanshme (Sistemi i Preferencave të Përgjithshme). Përfitimet tarifore janë: tarifë doganore zero, tarifë e reduktuar ose tarifë zero brenda sasive të caktuara (kuota).
Në R.Sh rregullat e origjinës preferenciale i gjeni në Kodin Doganor të R.SH, Nenet 63 – 64 dhe në Dispozitat Zbatuese të Kodit Doganor, Nenet 108 – 147. Në përputhje me Nenin 63 të Kodit Doganor të R.Sh, rregullat e origjinës preferenciale përcaktojnë kushtet që duhet të përmbushen nga mallrat për të përfituar nga masat tarifore preferenciale. Rregullat preferenciale të origjinës në rastin e mallrave të mbuluara nga MTL që vendi ynë zbaton do të përcaktohen në protokollet respektive të këtyre marrëveshjeve të tregtisë së lirë.
Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë që vendi ynë zbaton i gjeni në linkun:
https://dogana.gov.al/d/182/249/0/263/marreveshjet-e-tregtise-se-lire
Konventa pan- Euro-Mesdhetare e rregullave të Origjinës Preferenciale
Për të gjitha marrëveshjet e tregtisë së lirë që zbaton Shqipëria si me BE-në; Norvegjinë, Zvicrën, Islandën dhe Lihtenshtajnin (shtetet e EFTA-s); Bosnjën dhe Hercegovinën, Moldavinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, (shtetet e CEFTA-s) dhe Turqinë zbatohen rregullat e origjinës në Konventën Rajonale mbi Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mesdhetare (Konventa PEM).
Për të zbatuar rregullat e origjinës dhe kumulimin e origjinës bazuar në rregullat e origjinës preferenciale pan-Euro-Mesdhetare, protokollet e origjinës në marrëveshjet e tregtisë së lirë në fuqi janë zëvendësuar me rregullat e origjinës së kësaj Konvente:
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit midis BE-së dhe Republikës së Shqipërisë është ratifikuar me Ligjin Nr. 9590, datë 27.07.2006. Vendimi Nr. 1, datë 11 maj 2015 i Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, ka zëvendësuar Protokollin 4 të MSA-së në lidhje me përcaktimin e konceptit të “Produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ me Konventën Rajonale mbi rregullat e origjinës preferenciale pan-Euro-Mesdhetare [2015/821].
Marrëveshja për amendimin dhe zgjerimin e MTL CEFTA 2006 është ratifikuar me Ligjin Nr. 9696, datë 21.03 2007. Vendimi Nr. 3/2013 i Komitetit të Përbashkët të MTL CEFTA ka zëvendësuar Aneksin IV në lidhje me përcaktimin e konceptit të ‘Produkteve origjinuese’ dhe metodave të bashkëpunimit administrativ me Konventën Rajonale. Vendimi Nr. 3/2015 i Komitetit të Përbashkët, miratuar më 26 nëntor 2015, ka ndryshuar Vendimin 3/2013 të MTL-së CEFTA 2006. Ky vendim siguron mundësinë e tërheqjes së detyrimeve dhe kumulimit të plotë në tregtinë midis palëve të CEFTA -s. Vendimi Nr. 2/2017 datë 16 maj 2017 i Komitetit të Përbashkët të Konventës PEM, ka ndryshuar dispozitat e Shtojcës II të Konventës PEM mbi rregullat e origjinës preferenciale PEM, duke futur zbatimin e kumulimit të plotë bilateral, të kthimit apo rimbursimit të detyrimeve doganore në tregtinë ndërmjet vendeve anëtare të CEFTA-s [2019/940].
MTL midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë e ratifikuar me Ligjin Nr. 9733, datë 14.05.2007 (ndryshuar me Ligjin 10199 datë 17.12.2009). Vendimi Nr. 1/2019 i Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë ka zëvendësuar Protokollin II në lidhje me përcaktimin e konceptit të “Produkteve orgjinuese” dhe metodave të bashkëpunimit administrativ me Konventën Rajonale mbi rregullat preferenciale të origjinës pan-Euro-Mesdhetare [2020/82]. Data e fillimit të zbatimin 3 maj 2021.
Vendimi Nr. 1 i Komitetit të Përbashkët EFTA-Shqipëri, miratuar më 24.06.2021, ratifikuar me Ligjin Nr. 99/2021, datë 07.07.2021, për ndryshimin e protokollit B të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Republikës së Shqipërisë, lidhur me përkufizimin e konceptit të “Produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ, me Konventën PEM.
Rregullat tranzitore të Origjinës preferenciale të Konventës pan-Euro-Mesdhetare
Objektivi i rregullave tranzitore ishte modernizimi dhe përditësimi i rregullave të origjinës të përfshira në MTL të vendit tonë me vendet në rajonin Pan-Euro-Mesdhetar (PEM), duke i bërë ato më fleksibël dhe më të lehta për përdoruesit. Zbatimi dypalësh kalimtar ("periudha tranzitore") përfundoi më 31 dhjetor 2024, pasi Konventa e rishikuar PEM hyri në fuqi më 1 janar 2025.
Këto rregulla që u zbatuan si rregulla alternative ndaj atyre të Konventës PEM në pritje të përfundimit të procesit të rishikimit të Konventës PEM bënë të mundur vendosjen e një lidhje dinamike me Konventën. Me qëllim zbatimin e këtyre rregullave dhe mbi të gjitha vendosjen e një lidhje dinamike me Konventën e Rishikuar PEM, në Nënkomitetet e përbashkëta të MTL përkatëse janë marrë vendimet e mëposhtme:
Vendimi Nr. 1/2021, i Këshillit të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Evropian–Shqipëri [Ligji Nr. 98/2021, datë 07.07.2021]; i Komitetit të Përbashkët EFTA-Shqipëri [Ligji Nr. 99/2021, datë 07.07.2021 dhe Ligji Nr.122/2021, datë 17.12.2021]; i Komitetit të Përbashkët të MTL CEFTA-2006 [Ligji Nr. 101/2021, datë 07.07.2021 dhe Vendimin 1/2025 i Komitetit të Përbashkët Shqipëri - Turqi, ndryshuan protokollet përkatëse në lidhje me përkufizimin e konceptit të “Produkteve origjinuese” dhe metodat e bashkëpunimit administrativ të MSA, të MTL EFTA të MTL CEFTA dhe të MTL AL-TR me Rregullat Tranzitore të origjinës si rregulla alternative dhe vendosën një referencë me Konventën.
Për më tepër informacion në lidhje me Rregullat Preferenciale të Origjinës të Konventës pan-Euro-Mesdhetare shih linkun: https://dogana.gov.al/d/182/249/0/264/konventa-pan-euro-mesdhetare-e-rregullave-te-origjines-preferenciale