Njoftime > >
Plani Operacional në luftën kundër informalitetit vijon të zbatohet nga institucionet shtetërore përgjegjëse. Në zbatim të tij, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në bashkëpunim me Inspektoriatin Shtetëror Teknik dhe Industrial, kanë kontrolluar subjektet në fushën e hidrokarbureve. Nga kontrollet ka rezultuar se një subjekt që tregtonte gaz të lëngshëm natyror kishte mangësi në deklarimin e detyrimeve fiskale dhe cilësi.
“Subjekti kishte hedhur në qarkullim rreth 1.6 milionë litra gaz natyror të lëngshëm pa paguar detyrimet e akcizës. Në total, detyrimi i munguar dhe penaliteti i vendosur ndaj këtij subjekti arrin në shifrën prej 38 milionë lekësh ose përafërsisht 350 mijë euro”, informoi Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, z. Arlind Gjokuta, gjatë inspektimit në terren së bashku me Kryeinspektorin e Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial.
Kryeinspektori i ISHTI, z. Admir Abrija, bëri me dije se subjekti kishte mangësi edhe sa i përket cilësisë së produktit që kishte hedhur në qarkullim, ndërsa garantoi se bashkëpunimi mes institucioneve në luftën kundër informalitetit do të vijojë. “Gjatë kontrollit të ushtruar nga ana jonë dhe pas modularëve të përgatitur nga drejtoritë e analizave respektive kemi konstatuar që një subjekt ka pasur shmangie cilësore, thyrjen e procedurave si dhe shmangien e fiskut. Menjëherë autoritetet kanë ndërvepruar me njëra-tjetrën duke identifikuar subjektin dhe duke e penalizuar atë për cilësinë e produktit, modalitetet, formën e shitjes së produktit”, tha z. Abrija.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave sqaroi se Plani Operacional vijon të zbatohet në bashkëpunim jo vetëm me ISHTI, por edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe strukturat e Krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, ndërsa u bëri thirrje të gjitha subjekteve të respektojnë detyrimet ligjore.
“Ju bëjmë thirrje të gjitha subjekteve të marrin masat në mënyrë që të deklarojnë gjendjet e produkteve të tyre në magazinat fiskale, pasi brenda fundit të vitit, ashtu siç parashikon Plani Operacional, do të kontrollohen të gjitha magazinat fiskale dhe doganore. Fokusi i Planit Operacional janë të gjitha produktet e akcizës. Ka pasur një vëmendje të shtuar dhe të veçantë për fushën e hidrokarbureve, por paralelisht edhe për produktet e tjera, duke filluar nga kafja, pijet alkoolike dhe duhani”, u shpreh z. Gjokuta.