Njoftime > >
Problemet me procesin e skanimit në dogana kryesisht për eksportuesit e fruta-perimeve janë përcjellë shumë herë nga komuniteti i biznesit për shkak të orareve të kufizuara.
Por, që prej muajit shkurt administrata doganore ka ngritur infrastrukturën përkatëse që bën të mundur skanimin për eksportuesit përgjatë 24 orëve.
Menaxheri i projektit të skanimit, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Ilir Mino, në një intervistë për ATSH-në deklaroi se përsa i përket eksporteve, autoritetet doganore kanë prioritet jo vetëm për mos pengimin e tyre, por edhe për krijimin e të gjitha hapësirave të nevojshme që biznesi të ecë përpara dhe të ketë mundësi që të jetë sa më konkurrues në tregjet e vendeve fqinje të Ballkanit, por edhe më gjerë.
“Për këtë arsye lidhur me skanimin, tashmë prej muajit shkurt në mënyrë që t’i paraprijmë sezonit të eksporteve të fruta-perimeve është vendosur që në doganat që kanë pasur fluksin më të madh dhe janë kushtëzuar nga oraret, si dogana e Morinës në Kukës dhe dogana me Maqedoninë që është dogana e Qafë-Thanës, sistemi i skanimit të operojë 24 orë”, deklaroi Mino.
Ndërsa lidhur me doganat e tjera, Mino shprehet se ato janë në bashkëveprim me homologët.
“Që do të thotë se dogana e Kakavijës dhe ajo e Kapshticës kryejnë procesin e skanimit, për aq kohë sa janë në funksionim doganat greke”, shprehet ai.
Funksionimi i procesit të skanimit në doganën e Portit të Durrësit, sipas tij, lidhet me largimin e trageteve.
“Eksportet tona nuk do t’a ndiejnë më vështirësinë që kanë ndier deri tani, përsa i përket vonesave në procesin e skanimit”, siguron menaxheri i projektit të skanimit.
Mino sjell në vëmendje edhe zbatimin tashmë prej kohësh të analizës së riskut në procesin e skanimit.
“Skanimi është një proces që funksionon në bazë të analizës së riskut. Nuk është një proces rutinë, por janë zhvilluar profile të caktuara risku nga departamenti operativ hetimor”, thekson ai.
Ndaj, vijon Mino, jo çdo gjë skanohet, por vetëm ato që bien në këtë profil risku.
“Në këtë kontekst mendoj se edhe ideja që skanohen 100 nuk është më. Ndoshta ishte në fazat e para, ndërsa tani çdo gjë është me profil risku dhe proceset e skanimit varen nga ky lloj risku”, deklaron Mino.
Publikuar: TIRANË, 12 prill /ATSH/ - Burimi i Informacionit (Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”)