Njoftime > >
Tiranë, 08 Tetor 2026 - Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të Nënprodukteve të Naftës dhe të Gazit ka miratuar vendimin nr. 4, datë 08.10.2026, për përcaktimin e çmimeve tavan të tregtimit me shumicë dhe pakicë të gazoilit dhe benzinës.
Në zbatim të metodologjisë së përcaktuar në legjislacion, Bordi ka miratuar këto çmime tavan:
Shitja me shumicë
* Gazoil: 205 lekë/litër
* Benzinë: 181 lekë/litër
Shitja me pakicë
* Gazoil: 217 lekë/litër
* Benzinë: 193 lekë/litër
Çmimet e miratuara reflektojnë çmimet ndërkombëtare të nënprodukteve të naftës të publikuara nga “S&P Global Platts”, detyrimet doganore dhe tatimore, si dhe marzhet bruto maksimale të tregtimit, përfshirë TVSH-në.
Referuar Aktit Normativ nr. 4, datë 25.09.2026, niveli i reduktuar i akcizës prej 80% zbatohet kur çmimi i shitjes me pakicë kalon 220 lekë/litër për gazoilin ose 200 lekë/litër për benzinën. Duke qenë se çmimet e miratuara me vendimin e sotëm janë nën këto nivele, për të dy produktet do të zbatohet niveli i plotë, 100%, i akcizës, në masën 39.376230 lekë/litër.
Asnjë operator ekonomik nuk mund t’i tregtojë këto nënprodukte mbi çmimet tavan të miratuara nga Bordi, ndërsa operatorët janë të lirë t’i tregtojnë ato me çmime më të ulëta.
Efektet e këtij vendimi fillojnë më 08.10.2026, ora 12:00, dhe do të jenë në fuqi deri në një njoftim të dytë të marrë në mbledhjen e radhës. Vendimi është i detyrueshëm për të gjitha shoqëritë që tregtojnë me shumicë dhe pakicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe të gazit.