Regjimet doganore ekonomike

Përpunimi Aktiv

Regjimi i përpunimit aktiv lejon që mallrat jo shqiptare të përdoren në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, në një ose më shumë operacione përpunimi nëse ato eksportohen jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë në formën e produkteve kompensuese.

Informacioni për këtë regjim gjendet në nenin 274 deri 325 të VKM nr.205 dt.13.04.1999 si dhe Udhëzimit nr.1  dt.06.09.2012.

Përpunimi Pasiv

Regjimi i përpunimit pasiv lejon që mallrat shqiptare të eksportohen përkohësisht nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që t’u nënshtrohen operacioneve përpunuese dhe produktet që dalin si rezultat i këtyre operacioneve të vendosen në qarkullim të lirë me përjashtim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet e importit.

Informacioni për këtë regjim gjendet në  nenin 403 deri 427 të VKM nr.205 dt.13.04.1999.

Lejimi i përkohshëm

Regjimi i lejimit të përkohshëm bën të mundur përdorimin në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet e importit dhe pa iu nënshtruar masave të politikave tregtare, të mallrave jo shqiptare të destinuara për t’u rieksportuar, pa pësuar ndryshime, përveç zhvleftësimit normal për shkak të përdorimit të tyre.

Informacioni për këtë regjim gjendet në  nenin 342 deri 402 te VKM nr.205 dt.13.04.1999.

 

Përpunimi nën kontroll doganor

Regjimi i përpunimit nën kontroll doganor lejon të përdoren në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë mallra jo shqiptare në operacione që e ndryshojnë natyrën ose gjendjen e mallrave, pa iu nënshtruar detyrimeve të importit ose masave të politikave tregtare, dhe vendosjen në qarkullim të lirë të produkteve të përftuara si pasojë e këtyre operacioneve, kundrejt pagesës se detyrimeve përkatëse të importit. Produkte të tilla quhen produkte të përpunuara.

Informacioni për këtë regjim gjendet në  nenin 326 deri 341 të VKM nr.205 dt.13.04.1999.

Magazinimi doganor

Regjimi i magazinimit doganor lejon ruajtjen e mallrave jo shqiptare dhe shqiptare në një magazinë doganore.

Magazinim i Përkohshëm i mallrave do te thotë statusi që u jepet mallrave, nga çasti i paraqitjes në doganë deri në çastin e caktimit të një destinacioni doganor për to. Këto mallra duhet të shoqërohen nga një deklaratë përmbledhëse që duhet të depozitohet brenda afateve të caktuara. Informacioni për këtë regjim gjendet në nenin 112 deri 117 të VKM nr.205 dt.13.04.1999 si dhe Udhëzimit nr.2 dt.26.10.2009 dhe Udhëzimit nr.2 dt.dt.06.10.2010.

Regjimi i magazinimit doganor lejon ruajtjen në një magazinë doganore: të mallrave jo shqiptare, pa iu nënshtruar detyrimeve të importit ose masave të politikës tregtare; dhe të mallrave shqiptare, kur dispozitat në fuqi që rregullojnë fusha të veçanta parashikojnë që vendosja e tyre në magazinat doganore kërkon zbatimin e masave që normalisht lidhen me eksportin e këtyre mallrave. Informacioni për këtë regjim gjendet  në  nenin 240 deri 271 të VKM nr.205 dt.13.04.1999 si dhe udhëzimit  nr.3 dt.09.02.2006.

Zonat e lira dhe magazinat e lira janë pjesë të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë ose mjedise të vendosura në këtë territor dhe të ndara nga pjesa tjetër e tij, në të cilat:

  1. mallrat joshqiptare, për qëllim të zbatimit të detyrimeve të importit dhe të masave të politikës tregtare të importit, konsiderohen sikur nuk ndodhen në territorin doganor shqiptar, me kusht që të mos jenë vendosur në qarkullim të lirë ose të mos jenë vendosur nën një regjim tjetër doganor dhe as përdorur apo konsumuar në kushte të ndryshme nga ato të parashikuara në legjislacionin doganor;
  2. mallrat shqiptare, të cilat me dispozita të veçanta, për shkak të vendosjes në një zonë të lire ose magazinë të lirë, përfitojnë nga masat që normalisht shoqërojnë eksportin e mallrave.

Informacioni për këtë regjim gjendet në nenin 442 deri 472 të VKM nr.205 dt.13.04.1999 si dhe udhëzimit nr.1 dt.14.07.2009.