Trashëgimia

Në nenet e mëposhtme të Dispozitave Zbatuese (V.K.M. Nr.919 datë 29.12.2014) të Kodit Doganor sqarohen kushtet për të përfituar përjashtimin :

Neni 110

Sendet personale

1. Në përputhje me nenet 111, 112 dhe 113, sendet personale të fituara nëpërmjet trashëgimisë, nga një individ me vendbanim të zakonshëm në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, lejohet të importohen me përjashtim nga detyrimet e importit.

2. Për qëllim të pikës 1, “sende personale” do të thotë gjithë pasuria e referuar në shkronjën “b”, të nenit 95, të cilat përbëjnë pasurinë e trashëgimlënësit.

Neni 111

Mallrat për të cilat nuk jepen përjashtime

Përjashtimi nuk jepet për:

a) produktet alkoolike;

b) duhanin dhe produktet e duhanit;

c) mjetet e transportit tregtar;

ç) artikujt për përdorim gjatë ushtrimit të një tregtie apo profesioni, të ndryshme nga instrumentet e arteve të aplikuara ose të lira, të cilat i nevojiteshin trashëgimlënësit për ushtrimin e tregtisë ose të profesionit;

d) stoqet e lëndëve të para dhe produkteve ose gjysmëprodukteve;

dh) stoqet e produkte bujqësore dhe blegtorale, përfshi bagëtitë, që kalojnë sasitë e përshtatshme për nevoja të përdorimit familjar.

Neni 112

Kufizime

1. Përjashtimi lejohet vetëm për sendet personale të vendosura në qarkullim të lirë jo më vonë se dy vjet nga data në të cilën i interesuari fiton të drejtën e pronësisë mbi këto sende (ndarja përfundimtare e trashëgimisë).

Megjithatë, për raste të veçanta, kjo periudhë mund të zgjatet nga autoritetet doganore kompetente.

2. Sendet personale mund të importohen në disa dërgesa të veçanta brenda afatit të përmendur në pikën 1.

Neni 113

Trashëgimia nga personat juridikë

Nenet 110, 111 dhe 112 zbatohen, rast pas rasti, në mënyrë analoge, për sendet personale të fituara me trashëgimi nga personat juridikë që merren me aktivitet jofitimprurës, të vendosur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë.