Mallrat në rast martese

Në nenet e mëposhtme të Dispozitave Zbatuese (V.K.M. Nr.919 datë 29.12.2014) të Kodit Doganor sqarohen kushtet për të përfituar përjashtimin:

Neni 105

Përjashtime në raste martese

1. Në përputhje me nenet 106 deri 109, veshjet martesore dhe sendet shtëpiake, të reja ose jo, që i përkasin një individi që me rastin e martesës së tij/saj transferon vendbanimin e tij të zakonshëm nga një vend tjetër, në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, importohen duke u përjashtuar nga detyrimet importit.

2. Në të njëjtat kushte, dhuratat e dhëna me rastin e martesës dhe që janë marre nga një individ i cili plotëson kushtet e përcaktuara në pikën 1, që e ka vendbanimin e tij të zakonshëm në një vend tjetër, përjashtohen gjithashtu nga detyrimet e importit. Megjithatë, vlera e çdo dhurate që përjashtohet nga detyrimet e importit, nuk duhet të kalojë vlerën ekuivalente në lekë të shumës 1 000 euro.

Neni 106

Kushtëzime

Përjashtimi i referuar në nenin 105 mund të jepet vetëm për individë:

a) vendbanimi i zakonshëm i të cilëve ka qenë jashtë territorit doganor të Republikës së Shqipërisë për të paktën 12 muaj të vazhdueshëm. Megjithatë, përjashtime nga ky rregull mund të jepen me kusht që i interesuari të provojë qartë se synonte të qëndronte jashtë territorit doganor të Republikës se Shqipërisë për një periudhë të pandërprerë kohe prej të paktën 12 muajsh;

b) që paraqesin prova të martesës së tyre.

Neni 107

Produktet alkoolike dhe duhani

Asnjë përjashtim nuk duhet të jepet për produktet alkoolike, duhanin dhe produktet e duhanit.

Neni 108

Hedhja në qarkullim të lire

 

1. Me përjashtim të rrethanave të jashtë-zakonshme, përjashtimi nga detyrimet e importit jepet vetëm për mallrat e vendosura në qarkullim të lirë:

a) jo më herët se dy muaj përpara datës së caktuar për martesë (në këtë rast përjashtimi jepet vetëm kundrejt depozitimit të garancisë përkatëse, forma dhe shuma e së cilës caktohet nga autoritetet doganore kompetente);

b) jo me vonë se katër muaj pas datës së martesës.

2. Mallrat e referuara në nenin 105 mund të vendosen në qarkullim të lirë në disa dërgesa të veçanta, brenda afatit të përmendur në pikën 1.

Neni 109

Kushtëzime

1. Mallrat që janë lejuar me përjashtim nga detyrimet e importit në përputhje me nenin 105, deri në përfundimin e afatit prej 12 muajsh nga data në të cilën është pranuar deklarata për vendosjen në qarkullim të lirë, nuk mund të jepen hua, vendosen si garanci, jepen me qira ose transferohen, si kundrejt pagesës, ashtu edhe falas, pa njoftuar paraprakisht autoritetet kompetente doganore për këtë qëllim.

2. Huadhënia, dhënia si garanci, qiradhënia ose tjetërsimi përpara përfundimit të periudhës 12-mujore bëhet vetëm kundrejt pagesës së detyrimeve përkatëse të importit për mallrat në fjalë, duke zbatuar nivelin e detyrimeve të importit në fuqi në datën në të cilën kryhet huadhënia, lënia si garanci, qiradhënia ose tjetërsimi, në bazë të llojit të mallrave dhe vlerës doganore të tyre, të verifikuar apo të pranuar në po atë datë nga autoritetet doganore kompetente.