Hyrja, dalja e mallrave

Trafiku Ajror
Mjetet ajrore që hyjnë në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë mund të fluturojnë në rrugët ajrore të përcaktuara nga autoritetet përgjegjëse për trafikun ndërkombëtar, dhe mund të ulen e të ngrihen nga aeroportet ndërkombëtare të miratuara për trafik ajror me vendet e huaja.
Mjetet ajrore, ekuipazhet e tyre, bagazhet e ekuipazheve, udhëtarët, bagazhet e udhëtarëve, dhe mallrat e transportuara janë objekt i mbikqyrjes së autoriteteve doganore në aeroportin më të parë kur mbërrijnë në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë.
Informacioni për Trafikun ajror gjendet në nenet 45-50 Ligjit nr. 8449, datë 27.01.1999 - Kodi Doganor, si dhe nenet 93-94 të VKM nr.205, dt13.04.1999.

Trafiku ujor
Mjetet lundruese që transportojnë mallra për në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, mund të ankorohen vetëm në porte të miratuara për trafik ndërkombëtar.
Mjetet lundruese, të cilat transportojnë mallra që hyjnë në ose dalin nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë dhe që lundrojnë në zonën doganore kufitare në det, liqene e lumenj të lundrueshëm, duhet të kenë në bord manifestin e mallrave të përmendur në nenin 41(2), përveç rasteve kur parashikohet ndryshe.
Informacioni për Trafikun ujor gjendet në: Nenet 51-58 Ligjit nr. 8449, datë 27.01.1999 - Kodi Doganor dhe Nenet 95-108 të Dispozitave Zbatuese.

Trafiku hekurudhor
Shoqëria hekurudhore që pranon të fusë me rrugë hekurudhore në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë në rrugë hekurudhore mallra të shoqëruara me një dokument dorëzimi, është organi përgjegjës për kryerjen e formaliteteve doganore përkatëse.
Shoqëria hekurudhore vë në dispozicion të Administratës Doganore gjithë dokumentat e mbajtura pranë zyrës së financës, në lidhje me mallrat e transportuara.
Në transportin e udhëtarëve me rrugë hekurudhore, autoritetet doganore kryejnë të gjitha kontrollet në pikat e kalimit të kufirit tokësor hekurudhor mbi udhëtarët dhe bagazhet e tyre, si edhe në kabinën e drejtimit, mbi personelin dhe bagazhet e tij.
Informacioni për Trafikun hekurudhor gjendet në: Nenin 59 Ligjit nr. 8449, datë 27.01.1999 - Kodi Doganor

Trafiku i udhëtarëve
Në funksion të këtij Kreu termi “udhëtar” do të thotë:
A. në hyrje

  1. çdo person që hyn përkohësisht në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, duke mos qenë normalisht banues në ketë territor,
  2. çdo person që kthehet në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë, në të cilin normalisht ai është banues, pasi ka qëndruar përkohësisht në një vend të huaj;

B. në dalje

  1.  çdo person që largohet përkohësisht nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, ku ai është normalisht banues,
  2.  çdo person që pas një qëndrimi të përkohshëm largohet nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë, ku ai nuk është normalisht banues

Gjatë hyrjes ose daljes nga Republika e Shqipërisë, udhëtari duhet të deklarojë dhe me kërkesë të autoriteteve doganore, duhet të tregojë të gjitha mallrat që transporton.
Informacioni për Trafikun e udhëtarëve gjendet në: Nenet 63 - 64 Ligjit nr. 8449, datë 27.01.1999 - Kodi Doganor, si dhe Udhëzimi Nr. 03 dt. 05.09.2011.

Mallrat postare
Gjithë posta që përmban dërgesa për qëllime tregtare, si dhe gjithë posta që përfshin dërgesa me një vlerë të përgjithshme për çdo dërgesë që e kapërcen kufirin e përcaktuar në dispozitat në fuqi të nxjerra nga Ministri i Financave, i nënshtrohen deklarimit në doganë.
Informacioni për mallrat postare gjendet në: Nenet 60 - 62 të Ligjit nr. 8449, datë 27.01.1999 - Kodi Doganor,  si dhe Udhëzimi Nr. 03 dt. 05.09.2011