Autorizimi dhe detyrimet e depozituesit të miratuar

Neni 20 i ligjit 61/2012

Prodhimi, përpunimi dhe mbajtja e mallrave të akcizës në regjimin e pezullimit të detyrimeve kryhen në një magazinë fiskale. Magazinat fiskale janë objekt i mbikëqyrjes dhe kontrollit doganor. Autoritetet doganore miratojnë autorizimin për hapjen dhe shfrytëzimin e një magazine fiskale. Depozituesi i miratuar pajiset me një kod fiskal specifik.

Depozituesi i miratuar është i detyruar:

  1. të japë një garanci, me qëllim që të mbulojë riskun e mundshëm në prodhimin, përpunimin ose mbajtjen e mallrave të akcizës;
  2. të mbajë për çdo magazinë fiskale regjistrimet dhe kontabilitetin e stokut dhe të lëvizjes së mallrave të akcizës;
  3. të plotësojë kërkesat e autoriteteve doganore për shkëmbim elektronik të të dhënave;
  4. të përmbushë të gjitha kërkesat e vendosura nga administrata doganore, për të mundësuar mbikëqyrjen e magazinës fiskale;
  5. t’u mundësojë autoriteteve doganore, me kërkesën më të parë, kontrollin mbi mallrat dhe dokumentet;
  6. t’u sigurojë autoriteteve doganore ambientet e duhura për zyrën doganore, me pajisjet e nevojshme, si dhe të përballojë shpenzimet për funksionimin e tyre;
  7. të marrë përsipër shpenzimet për kontrollet e kryera sipas kërkesës së tij jashtë orarit zyrtar të funksionimit të zyrës doganore;
  8. të deklarojë llojin e procesit të prodhimit që do të kryejë dhe kartat teknologjike të prodhimit.

Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara me siper, sjell si pasojë revokimin e autorizimit.
Autorizimi i depozituesit të miratuar pushon së qeni i vlefshëm gjithashtu:

  • në rastin e shpërbërjes të një personi juridik;
  • kur hiqet dorë vullnetarisht nga autorizimi i depozituesit të miratuar;
  • kur autoritetet doganore revokojnë autorizimin.

Autoritetet doganore mund të revokojnë një autorizim për depozituesin e miratuar nëse:

  1. depozituesi i miratuar nuk plotëson më kushtet e vendosura në autorizimin e depozituesit të miratuar ose nuk siguron sistemin e duhur për monitorimin e stoqeve, ose kur nuk plotëson listat e stoqeve brenda afateve kohore të përcaktuara në autorizimin e depozituesit të miratuar;
  2. ai nuk depoziton garancinë e llojit të duhur për pagesën e akcizës ose nuk depoziton një garanci në shumën e nevojshme për të paguar akcizën;
  3. nuk ekzistojnë më kushtet për dhënien e një autorizimi për depozitues të miratuar;
  4. autorizimi është lëshuar sipas një informacioni të rremë, të dhënë në keqbesim;
  5. depozituesi i miratuar nuk ndreq parregullsitë brenda afateve kohore të vendosura nga autoritetet doganore;
  6. depozituesi është i përfshirë në veprimtari kriminale;
  7. depozituesi i shmanget pagesës së akcizës.
  8. autorizimi mund të revokohet edhe në raste të tjera kur konstatohen shkelje të dispozitave të këtij ligji.