Pullat fiskale

  Aplikimi i pullave fiskale

1. Pajisen me pullë akcize produktet e tregtuara në shtojcën 1 (Mallrat e tatueshme me akcizë në Republikën e Shqipërisë), pjesa II (birrë, verë, alkool dhe pije alkoolike) dhe pjesa III (duhani dhe nënproduktet e tij) të këtij ligji, duke përjashtuar birrën e prodhuar në vend, si dhe produkte të tjera të pijeve alkoolike që prodhohen në Shqipëri nga prodhuesit në shkallë të madhe, apo birra dhe produkte të tjera të pijeve alkoolike, të importuara nga importuesit e autorizuar për këtë qëllim nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, kur kërkohet pajisja me kodin e sigurisë, sipas pikës 2 të këtij neni.

2. Prodhuesit në shkallë të madhe, instalimi i pajisjeve për përgatitjen dhe vendosja e kodit të sigurisë nga ana e tyre e kërkesa të tjera dhe procedurat e zbatueshme për aplikimin e kodit të sigurisë përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave.

3. Produktet e akcizës, që duhet të pajisen me pullë dhe që kanë destinacion eksportin, mund të kenë pulla fiskale që kërkohen nga shteti importues. Në këtë rast, eksportuesi duhet t’u paraqesë prova autoriteteve doganore që tregojnë se ka tërhequr pullat fiskale të shtetit importues.

Pulla fiskale duhet të ngjitet/të stampohet në shishe ose në ambalazh tjetër, në mënyrë të tillë që të jetë e dukshme dhe të griset/bëhet e papërdorshme kur hapet tapa.

Pulla e akcizës duhet të ngjitet në paketat e cigareve poshtë ambalazhit plastik ose ambalazhit letër që mbështjell paketën në mënyrë të tillë që të jetë e dukshme dhe të griset kur hapet paketa.

Produktet e akcizës pa pullë fiskale do të konsiderohen produkte që nuk u është paguar akciza dhe hedhja e tyre për konsum, blerja e mbajtja konsiderohen të paligjshme.

Mallrat e akcizës të importuara, që duhet të pajisen me pullë akcize, sipas dispozitave të këtij ligji, duhet ta kenë pullën e akcizës në çastin që importohen, pa cenuar dispozitat e këtij ligji dhe dispozitat e Kodit Doganor, të cilat u lejojnë importuesve privatë për të importuar mallra akcize për konsum personal.