Vertetimet e prodhimit qe diferencojne nivelin e taksimit

Në rastin e importit të produkteve që u nënshtrohen akcizës, niveli i taksimit të të cilave sipas shtojcës 1 të ligjit 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” varet nga sasia e prodhimit faktik të vitit të mëparshëm kalendarik, importuesit duhet të paraqesin pranë Departamentit të Akcizës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave (DPD), një dokument me të cilin të deklarojë sasinë e prodhimit të kompanisë prodhuese të kësaj kategorie/lloj produkti.

Dokumenti duhet të plotësojë njëherazi kushtet e mëposhtme:

a) Të lëshohet nga kompania prodhuese e kategorisë/llojit të produktit të importuar, pavarësisht nga vendi eksportues;

b) Të jetë i certifikuar/miratuar nga autoriteti fiskal mbikëqyrës i prodhuesit në shtetin përkatës;

c) Të tregojë sasinë faktike të prodhimit total të vitit të mëparshëm, jo vetëm për markën dhe llojin e amballazhit të produktit që po importohet, për totalin e të gjitha markave e të produkteve të të njëjtës kategori/lloj produkti të prodhuar prej kompanisë prodhuese dhe pavarësisht llojit të amballazhit.

Shembull: Kategoria/lloji i produktit të importuar është birrë.

Kur fabrika prodhon disa marka të ndryshme birre dhe në lloje të ndryshme ambalazhesh, atëherë dokumenti vërtetues duhet të tregojë sasinë e prodhimit të vitit të kaluar, jo vetëm për markën dhe llojin e ambalazhit të birrës që po importohet, por për totalin e të gjitha markave të birrës të prodhuara për çfarëdo lloj ambalazhi të përdorura në të njëjtën fabrikë.

Baza Ligjore: Udhezimi Nr. 20, Datë 28.9.2012 i Ministrit te Financave “Mbi përcaktimin e standardeve të dokumentit për vërtetimin e sasisë së prodhimit për qëllime të përcaktimit të nivelit të detyrimit të akcizës”