Përjashtime nga Akciza

Përjashtimet nga akciza bëhen në zbatim të neneve 10, 11 e 12 të ligjit 61/2012:

Rastet e përjashtimeve
1. Produktet e akcizës përjashtohen nga pagesa e akcizës kur ato janë të destinuara për t’u përdorur:

  1. Për nevoja zyrtare dhe personale, në kuadër të misioneve diplomatike dhe konsullore, përshirë edhe konsujt e nderit, si dhe misionet speciale të akredituara në Shqipëri, për të cilat parashikohet shprehimisht përjashtimi nga pagimi i akcizës.
  2. Për nevoja zyrtare dhe personale të organizmave ndërkombëtarë, të njohur si të tillë nga Republika e Shqipërisë e sipas limiteve dhe kushteve të përcaktuara në konventat ndërkombëtare, në bazë të të cilave janë formuar këta organizma, ose në marrëveshjet reciproke.
  3. Për forcat e armatosura të çdo vendi anëtar të Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), me përjashtim të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, për përdorimin nga këto forca ose nga personeli civil që i shoqëron ato për furnizimin e mensave.
  4. Produktet e akcizës të importuara në bagazhin personal të pasagjerëve ose të importuara përmes mjeteve të tjera të transportit ndërkombëtar, sipas limiteve të pataksueshme, parashikuar në legjislacionin doganor.
  5. Për produktet e duhanit ,në rastin e importimit për konsum personal, sipas sasive të mëposhtme:
    1. 200 cigare;
    2. 100 cigarillo;
    3. 50 puro;
    4. 250 gramë duhan ose përzgjedhje në përpjesëtim të drejtë të këtyre produkteve të ndryshme.
  6. Për alkoolin dhe pijet alkoolike, në rastin e importimit për konsum personal, sipas sasive të mëposhtme:
    1. 1 litër pije të distiluara dhe alkoole me fortësi alkoolike ndaj volumit më të lartë se 22 për qind, ose alkool etilik i pa denatyruar me forcë alkoolike ndaj volumit 80 për qind dhe më shumë;
    2. 2 litra: pije të distiluara dhe alkoole dhe aperitivë me bazë vere ose alkooli, tafia, sake, ose pije të ngjashme me fortësi alkoolike ndaj volumit që nuk e kalon 22për qind, ose verëra të gazuara, likere, ose një përzgjedhje në përpjesëtim të drejtë të këtyre produkteve të ndryshme;
    3. 2 litra verëra të zakonshme;
    4. 10 litra birrë.
  7. Për produkte të tjera, në rastin e importimit për konsum personal, sipas sasive të mëposhtme: 3 kg kafe.

2. Përjashtimet nga akciza, sipas shkronjave “a” e “b” të pikës 1 të këtij neni, nuk mund t’i jepen për nevoja personale qytetarëve shqiptarë ose qytetarëve të huaj që kanë rezidencën e tyre të zakonshme në Shqipëri.
3. Përfitojnë përjashtim nga pagesa e akcizës edhe:

  1. produktet e akcizës që eksportohen;
  2. mallrat e akcizës që janë vendosur nën regjimin e pezullimit doganor;
  3. produktet energjetike me përdorim të dyfishtë. Një produkt është me përdorim të dyfishtë kur është i destinuar njëkohësisht si lëndë djegëse dhe për përdorim të ndryshëm nga ai i karburanteve ose i lëndëve djegëse. Përdorimi i produkteve energjetike për reduktimin kimik dhe elektrolizën, si dhe procese metalurgjike konsiderohen si një përdorim i dyfishtë;
  4. produktet energjetike të përdorura në proceset mineralogjike;
  5. karburanti për anijet e peshkimit në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave;
  6. importimi i nënprodukteve të naftës, për nevojat e veta, nga subjektet e kërkimit të naftës dhe të vënies në shfrytëzim të zonave naftëmbajtëse, në rast të plotësimit të kushteve specifike, sipas legjislacionit dhe marrëveshjeve për këtë qëllim. Procedurat për modalitet e përjashtimit dhe të zbatimit përcaktohen në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
  7. karburanti që përdoret nga avionët e linjave ndërkombëtare për tregti/transport ndërkombëtar, me përjashtim të atyre që përdoren për përdorim privat apo nacional.
  8. Kushtet, mënyrat, kufijtë në vlerë e në sasi dhe formalitetet për dhënien e përjashtimit nga detyrimi i akcizës përcaktohen në aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.

4. Produktet e akcizës, objekt i trajtimit në këtë nen, do t’i nënshtrohen lëshimit të një autorizimi përjashtimi. Këshilli i Ministrave përcakton formën dhe përmbajtjen e autorizimit të përjashtimit.

Duty free shops dhe bagazhet personale

  1. Përjashtohen nga pagesa e akcizës mallrat e akcizës që lëvrohen nga Duty free shops dhe që merren në bagazhet personale nga udhëtarët që lënë territorin shqiptar në rrugë ajrore dhe detare.
  2. Konsiderohen si mallra të lëvruara nga Duty free shops edhe mallrat e lëvruara në bordin e avionit gjatë një udhëtimi ndërkombëtar.
  3. Për qëllime të këtij neni, me termat e mëposhtëm do të kuptohen:
  1. “Duty free shop” është çdo ndërtesë e vendosur brenda një aeroporti ose porti që plotëson kushtet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
  2. “Udhëtar që lë territorin shqiptar” është çdo pasagjer i pajisur me një dokument transporti për udhëtim ajror ose detar, ku përcaktohet si destinacion përfundimtar një aeroport ose port jashtë territorit shqiptar.

Udhezim NR. 673/2, datë 28.1.2014 “Per percaktimin e listes se mallrave dhe sherbimeve qe perdoren ne realizimin e fazes se kerkimit te operacioneve hidrokarbure nga shoqerite e kerkimit te hidrokarbureve, te cilat perjashtohen nga pagesa e TVSH-se, si dhe procedurat e perjashtimit”