Akciza

Ligji 61/2012 KREU III Neni 19 Neni 20 ‘PRODHIMI, PËRPUNIMI DHE MBAJTJA’
Prodhimi, përpunimi dhe mbajtja e mallrave të akcizës në regjimin e pezullimit të detyrimeve kryhen në një magazinë fiskale.

Autorizimi dhe detyrimet e depozituesit të miratuar

  1. Magazinat fiskale janë objekt i mbikëqyrjes dhe kontrollit doganor.
  2. Autoritetet doganore miratojnë autorizimin për hapjen dhe shfrytëzimin e një magazine fiskale. Depozituesi i miratuar pajiset me një kod fiskal specifik.
  3. Depozituesi i miratuar është i detyruar:
    • të japë një garanci, me qëllim që të mbulojë riskun e mundshëm në prodhimin, përpunimin ose mbajtjen e mallrave të akcizës;
    • të mbajë për çdo magazinë fiskale regjistrimet dhe kontabilitetin e stokut dhe të lëvizjes së mallrave të akcizës;
    • të plotësojë kërkesat e autoriteteve doganore për shkëmbim elektronik të të dhënave;
    • të përmbushë të gjitha kërkesat e vendosura nga administrata doganore, për të mundësuar mbikëqyrjen e magazinës fiskale;
    • t’u mundësojë autoriteteve doganore, me kërkesën më të parë, kontrollin mbi mallrat dhe dokumentet;
    • t’u sigurojë autoriteteve doganore ambientet e duhura për zyrën doganore, me pajisjet e nevojshme, si dhe të përballojë shpenzimet për funksionimin e tyre;
    • të marrë përsipër shpenzimet për kontrollet e kryera sipas kërkesës së tij jashtë orarit zyrtar të funksionimit të zyrës doganore;
    • të deklarojë llojin e procesit të prodhimit që do të kryejë dhe kartat teknologjike të prodhimit.
  4. Mosrespektimi i rregullave të përcaktuara në pikën 3 të këtij neni sjell si pasojë revokimin e autorizimit.
  5. Autorizimi i depozituesit të miratuar pushon së qeni i vlefshëm gjithashtu:
    • në rastin e shpërbërjes të një personi juridik;
    • kur hiqet dorë vullnetarisht nga autorizimi i depozituesit të miratuar;
    • kur autoritetet doganore revokojnë autorizimin.
  6. Autoritetet doganore mund të revokojnë një autorizim për depozituesin e miratuar nëse:
    • depozituesi i miratuar nuk plotëson më kushtet e vendosura në autorizimin e depozituesit të miratuar ose nuk siguron sistemin e duhur për monitorimin e stoqeve, ose kur nuk plotëson listat e stoqeve brenda afateve kohore të përcaktuara në autorizimin e depozituesit të miratuar;
    • ai nuk depoziton garancinë e llojit të duhur për pagesën e akcizës ose nuk depoziton një garanci në shumën e nevojshme për të paguar akcizën;
    • nuk ekzistojnë më kushtet për dhënien e një autorizimi për depozitues të miratuar;
    • autorizimi është lëshuar sipas një informacioni të rremë, të dhënë në keqbesim;
    • depozituesi i miratuar nuk ndreq parregullsitë brenda afateve kohore të vendosura nga autoritetet doganore;
    • depozituesi është i përfshirë në veprimtari kriminale;
    • depozituesi i shmanget pagesës së akcizës.
    • autorizimi mund të revokohet edhe në raste të tjera kur konstatohen shkelje të dispozitave të këtij ligji.
  7. Ankimi, që mund të bëhet ndaj vendimit për revokimin e autorizimit të depozituesit të miratuar, nuk mund të shtyjë zbatimin e vendimit.
  8. Kushtet, mënyrat dhe formalitetet për dhënien e autorizimit, sipas pikës 2 të këtij neni, si dhe afatet e vlefshmërisë së autorizimit përcaktohen në aktet nënligjore, në zbatim të këtij ligji.