Deklarimi i parave

Ligji nr. 9917, datë 19.05.2008, "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i ndryshuar, në nenin 17, pika 1, përcakton se:
“Çdo person, shqiptar ose i huaj, i cili hyn/largohet në/nga territori i Republikës së Shqipërisë është i detyruar të deklarojë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 1,000,000 (një milion lekë) ose kundërvlera e saj në monedha të tjera të huaja, si dhe qëllimin e mbartjes së tyre, për të cilat duhet të paraqesë dokumente justifikuese.

Udhëzimi nr. 15, datë 16.02.2009, i Ministrit te Financave “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftës për financimin e terrorizmit në sistemin doganor.”

Ligjit Nr.7895 dt. 27. 01. 1995 , “Kodi Penal i Republikes se Shqiperise”, i ndryshuar, Neni 179/a:
“Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë, në hyrje ose dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë, i shumave në të holla, i çdo lloj forme të cekut bankar, metaleve ose gurëve të cmuar, si dhe i sendeve të tjera me vlerë, përtej vlerës së parashikuar nga ligji përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.” Deklarimi kryhët nëpërmjet formularit tip RTVK, i cili gjendet pranë zyrave doganore në pikat e kalimit kufitar ose mund të shkarkohet nga faqja web e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Për informacione të mëtejshme në fushën e parandalimit dhe luftës kundër pastrimit të parave e financimit të terrorizmit mund ti referoheni faqes web të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave:  www.fint.gov.al/