Takimi i Drejtuesve të Rajonit të Evropës

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Znj.Belinda Ikonomi dhe znj.Mirela Meko, Zv.Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave morën pjesë në Konferencën e Doganave të Rajonit të Evropës, më 19 - 21 prill 2017, në Vjenë, Austri.
Ky aktivitet u organizua nga Znj. Bettina Vogl-Lang, Nënkryetare për Rajonin e Evropës dhe Zëvendës Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve dhe Doganave të Austrisë, ku morën pjesë rreth 50 Anëtarë të Organizatës Botërore të Doganave si dhe Sekretari i Përgjithshëm i OBD-së, z.Kunio Mikuriya.
Gjatë hapjes së takimit, znj.Vogl-Lang theksoi rolin e shumëfishtë të Doganave në shoqërinë e sotme, i cili shtrihet përtej rolit tradicional të grumbullimit të taksave dhe detyrimeve, në luftën kundër terrorizmit, lehtësimin e tregtisë dhe shumë role të tjera.
Ky takim synoi të kontribuonte në konceptin e proceseve të zgjeruara të tranzitit, si një proces i rëndësishëm që mundëson qarkullimin e lirë të mallrave duke mbrojtur njëkohësisht të ardhurat.
Sekretari i Përgjithshëm z.Mikuriya theksoi si prioritete kryesore aktuale të OBD-së:
- Lehtësimin e Tregtisë dhe mundësitë dhe sfidat e paraqitura nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Lehtësimit të Tregtisë të OBT-së.
- E-commerce dhe reagimin e Doganave ndaj rritjes së vëllimit të tregtisë për të siguruar shkallën e nevojshme të kontrollit dhe lehtësimit, si dhe mbledhjen e të ardhurave.
- Sigurinë dhe rolin e Doganave në luftën kundër terrorizmit.
- Rritjen e bashkëpunimi doganor dhe tatimor nëpërmjet shkëmbimit të informacionit.
Gjatë aktivitetit u shqyrtuan disa nga hapat e nevojshëm për të zhvilluar një Sistem Tranziti të Rajonit të Evropës dhe u diskutua mbi sfondin ekonomik dhe sfidat për të ardhmen; sistemet ekzistuese dhe përfitimet e mundshme të sistemeve interaktive; kërkesat për zhvillimin e ardhshëm; si dhe nxitjen e krijimit të një sistemi të përshtatshëm. U ra dakord të krijohet një grup pune për të paraqitur një dokument pozicionimi dhe udhërrëfyes për të avancuar këtë koncept.
Delegatët gjithashtu dëgjuan raporte mbi takimet e fundit të Komitetit të Auditimit dhe Financave, aktivitetet e ROCB-së (duke përfshirë politikën e ardhshme të financimit), aktivitetet e RILO-s dhe qeverisjen etj.