Forumi mbi bashkëpunimin ndërmjet doganës dhe operatorëve ekonomikë.

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave znj. Belinda Ikonomi mori pjesë në takimin e organizuar me Dhomën  Amerikane të Tregtisë, mbi bashkëpunimin ndërmjet doganës dhe operatorëve ekonomikë.
 
Në fjalën e saj znj.Ikonomi prezantoi arritjet e Administratës Doganore gjatë vitit 2016, të cilat kanë mundësuar lehtësimin e tregtisë nëpërmjet përmirësimit të proçedurave doganore. Me këtë rast u ftuan të gjithë operatorët, të cilët kanë një histori transparente me doganat dhe janë në gjendje të paraqesin garancinë e duhur në operacionet doganore, të aplikojnë për statusin e Operatorit Ekonomik të Autorizuar.
 
Gjithashtu, znj. Ikonomi theksoi se në vazhdimësi është prioritet i Administratës Doganore ofrimi i një shërbimi sa më cilësor si dhe bashkëpunimi me grupet e interest, duke ndërmarrë në të ardhmen iniciativa për aktivitete trajnuese dhe informuese për biznesin “Tashmë, mund të drejtoheni pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, në Zyrën e Lehtësive, Thjeshtimeve dhe Tranzitit si dhe në Zyrën e Harmonizimit të Proçedurave Doganore dhe Informimit të Operatorëve, për të marrë informacione të detajuara mbi rregullat, proçedurat e lehtësimit dhe thjeshtimit si për zhdoganimin lokal, Operatorët Ekonomikë të Autorizuar, kompetencat territoriale” –u shpreh Drejtoresha.
 
Gjatë takimit u paraqitën  arritjet e doganës në fushën e akcizave, ku janë vënë në dispozicion të operatorëve të akcizës manualet e përdorimit të sistemit Asycuda World, si dhe janë bërë ndryshimet përkatëse ligjore në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë, në kreun “Penalitete”, duke zbutur në mënyrë të ndjeshme ato si dhe duke e bërë ligjin sa më të zbatueshëm.
 
Pjesë e diskutimeve ishin dhe procedurat e peshimit të mallrave pranë degëve doganore, për të cilat Administrata Doganore ka nxjerrë tashmë një udhëzim të ri, i cili përcakton rregulla të sakta dhe të unifikuara lidhur me këto procedura, duke u bazuar në kontrollin me risk të peshës me qëllim lehtësimin e operatorëve  ekonomikë.
 
Nga ana e Administratës Doganore u paraqit dhe mundësimi i deklaratës on line me bar-code, e cila do t’i paraprijë firmosjes elektronike të saj, gjë që do të sjellë kryerjen e deklaratës doganore nga operatori ekonomik pranë ambienteve të tij duke shmangur në këtë mënyrë paraqitjen e tij pranë sportelit doganor.
 
Përsa i përket diskutimeve për vlerësimin doganor, znj. Ikonomi nënvizoi faktin se megjithëse metoda kryesore e vlerësimit doganor, gjatë vitit 2016, ka qenë ajo e transaksionit, e cila ka zënë rreth 88.7 % të të gjithë importeve të kryera nga kompanitë tregtare, përsëri ka vend për përmirësime. Në vazhdimësi, Administrata Doganore do të angazhohet për përmirësimin e nivelit të vlerësimin doganor, ku përveç metodës së transaksionit, e cila do të përbëjë përsëri bazën e vlerësimit, do të intensifikojë përdorimin e metodave alternative si ajo e mallrave identike ose të ngjashme, nëpërmjet konsolidimin të funksionimit të “Databaze Kombëtar për Vlerësimin Doganor”, çka do të sjellë minimizimin e përdorimit të dosjes së të dhënave disponueshme.
 
Në përfundim të diskutimeve, Znj. Ikononomi theksoi fokusin e vecantë të Adminstratës Doganore në përmirësimin e vazhdueshëm të legjislacionit.
Me miratimin e Dispozitave Zbatuese të Kodit të ri Doganor, më 1 qershor 2017,  të gjitha procedurat/regjimet doganore do të jenë sipas atyre europiane.
Përmes përafrimit të legjislacionit përmbushen dhe angazhimet që administrata doganore ka ndërmarrë në kuadër të proçeseve të integrimit në Bashkimin Europian.