DOGANAT, KONTROLLE TË PËRBASHKËTA SHQIPËRI-KOSOVË

15/09/2016

-          Qafë Morinë, ndalohet një shtetas për kontrabandë celularësh

Prej disa ditësh, struktura të specializuara Operativo-Hetimore të Administratës Doganore Shqiptare (ADSH) dhe Administratës Doganore të Kosovës (ADK) kryen patrullime të përbashkëta, në të dy anët e kufirit.

Deri më tani janë kryer rreth 445 kontrolle të pjesshme dhe të plota në akse rrugore, si dhe u monitorua e gjithë vija e gjelbër. Në të gjitha kontrollet e plota u përdorën dhe pajisjet e specializuara nën përdorim të grupeve që operojnë në terren të tilla si: vidioscope, pasqyra të veçanta, narcotic test kit, donacione këto të Ambasadës Amerikane.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi, mbrëmjen e së mërkurës, në Pikën e Kalimit Kufitar Qaf Morinë, Tropojë, strukturat e Antikontrabandës dhe Informacionit të të dy Administratave Doganore së bashku me Drejtorinë e Hetimit në DPD arrestuan në flagrancë shtetasin E.S, i cili me automjetin tip “Volkswagen Polo”, me targë AA745IA, tentoi të kalojë mallra kontrabandë, nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Gjatë kontrollit, në mjetin e shtetasit E.S. u gjetën pajisje elektronike të ndryshme,  si celularë të markës “Samsung”,  “iPad”, bateri dhe aksesorë të ndryshëm për telefona celularë.

Për rastin në fjalë, materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Kukës për veprën penale të parashikuar nga Neni 174 i Kodit Penal, "Kontrabandë me mallra të tjera".