Sporteli i vetëm doganor

13/06/2016
Administrata Doganore shqiptare në bashkëveprim me një seri agjencish shtetërore hedhin një tjetër hap të rëndësishëm për thjeshtimin e procedurave në funksion të lehtësimit të tregtisë, me aplikimin e konceptit “Single Window”, thënë ndryshe “Sporteli i vetëm doganor”.
Sot, me asistencë të ekspertëve të Komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE), filloi në Tiranë trajnimi për Administratën Doganore dhe të institucioneve të tjera që do të përfshihen në këtë platformë.
Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave znj. Pranvera Fagu (Behushi) e pranishme në këtë takim, së bashku Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit z. Isuf Shehu dhe Drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore znj. Alma Skënderaj, nënvizoi se pas miratimit të “Kodit të ri Doganor”, implementimi i “Sportelit të vetëm doganor” është hapi i dytë më i rëndësishëm që hidhet në këto 2 vitet e fundit në sistemin doganor.
““Sporteli i vetëm doganor” u mundëson aktorëve të përfshirë në proceset tregtare të paraqesin në mënyrë të standardizuar informacionin dhe dokumentacionin që lidhet me importin, eksportin apo transitin e mallrave.
Aktualisht një operator ekonomik duhet të bëjë një sërë ecejakesh në institucione të ndryshme, afërsisht 20 agjenci, për të kryer e finalizuar procedurat doganore. Ndërsa me implementimin e konceptit të “Sportelit të vetëm doganor” institucionet e përfshira do të ndërveprojnë nëpërmjet sistemit të IT-së” – tha Drejtoresha Fagu.
Përfitimet me aplikimin e “Sporteli i vetëm doganor” janë si për operatorët ekonomikë, ashtu edhe për vetë administratën shtetërore. Më konkretisht, biznesi përfiton shkurtim të kohës për praktikat administrative; ulje të kostos së aplikimit; rritje të nivelit të transparencës; etj.. Ndërsa vetë administrata shtetërore siguron mbledhje korrekte të detyrimeve doganore dhe ulje të nivelit të korrupsionit, pasi shmang kontaktin e drejtpërdrejtë ndërmjet subjektit dhe punonjësve të administratës.
Drejtoresha Fagu, drejtuar punonjësve të Administratës Shtetërore kërkoi prej tyre angazhim e përkushtim maksimal deri në finalizimin e kësaj platforme e më pas implementimin e saj.
Koncepti i “Sportelit të vetëm doganor” është i  iniciuar nga Organizata Botërore e Doganave dhe promovuar e mbështetur më tej nga organizata të tjera ndërkombëtare, si Organizata Botërore e Tregtisë (OBT), Banka Botërore, OECD dhe UNCTAD.