DEKLARATË

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Shqiptare, znj. Belinda Ikonomi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Kosovare, z. Fahri Gashi u takuan më 22 Dhjetor 2016 në Pikën Doganore Morinë – Vërmicë.

Ashtu sikurse ishte parashikuar në axhendën e takimit, Drejtorët e Përgjithshëm të të dy vendeve, diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit duke shfrytëzuar resurset e dy Administratave.

Rritja e tregtisë midis dy vendeve dhe shfrytëzimi i porteve detare nga bizneset e Kosovës, ka ngritur nevojën në marrjen e masave shtesë për përshpejtimin e procedurave të tranzitit në kufi me Shqipërinë dhe anasjelltas. Lidhur me këtë, Dogana Shqiptare, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë filluar një projekt të përbashkët, i cili është plotësisht funksional.

Ky sistem i mundëson bizneseve që të hapin një tranzit në territorin e Shqipërisë apo të Kosovës dhe të mbyllin tranzitin në vendin tjetër (Kosovë apo Shqipëri) duke shmangur kontrollet e panevojshme kufitare.

Para krijimit të korridorit të përbashkët, procedurat e tranzitit merrnin shumë kohë për t’u përfunduar. Aktualisht koha për përfundimin e procedurave kufitare është reduktuar shumë duke marrë më pak se 10 minuta. Kjo paraqet një përshpejtim të theksuar të procedurës së kalimit të kufirit dhe uljes së kostos për bizneset e përfshira në këto transaksione, përfshirë dhe kompanitë transportuese.

Investimet e përbashkëta në programe kanë bërë që më datë 19 Dhjetor 2016, procedura e tranzitit të përbashkët të automatizohet në tërësi dhe ka filluar ndërlidhja automatike e sistemeve elektronike ndërmjet dy vendeve.

Përveç fushës së tranzitit, u dakordësua dhe ngritja e grupeve të punës me qëllim thellimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera.