Qafë Thanë- Zbulohen 50 kg lëndë narkotike Cannabis Sattiva gjatë procesit të skanimit

Autoritetet Doganore në Qafë Thanë në bashkëpunim me Policinë Kufitare zbuluan dhe sekuestruan mëngjesin e sotëm një sasi prej afro 50 kg lëndë narkotike, e dyshuar si Cannabis Sattiva.

Lënda narkotike u gjet në kamionin me targë AA 348 OX/ AER 353, që drejtohej nga shtetasi shqiptar G.Q. dhe kishte destinacion Bullgarinë.

Në doganë mjeti është deklaruar bosh, por autoritetet doganore e kanë dërguar për skanim, ku më pas është evidentuar një objekt i dyshimtë në shasinë e rimorkios.

Mjeti është shoqëruar në vijën e dytë për kontroll të mëtejshëm fizik, ku është gjetur edhe sasia e lëndës narkotike, e ndarë në 70 pako të mbështjella me natriban.

Në kushtet e flagrancës u ndalua drejtuesi i mjetit, shtetasi G.Q., ndërsa Policia dhe Prokuroria vijojnë me kryerjen e veprimeve të tjera procedurale.