Administrata Doganore Shqiptare angazhim maksimal në kontrollin e mallrave me përdorim të dyfishtë

Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, znj. Belinda Ikonomi përshëndeti punimet e takimit rajonal me temë “Programi i Kontrollit të Eksporteve për Mallrat me Përdorim të Dyfishtë”, i cili u mbajt në Tiranë, i mbështetur nga Bashkimi Europian.

Në fokus të këtij seminari ishte shkëmbimi i praktikave më të mira dhe legjislacionit të vendeve pjesëmarrëse, si Mali i Zi, Kosova, Serbia, Maqedonia, me qëllim final krijimin e një sistemi kontrolli sa më eficient në mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë.

Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave theksoi se Shqipëria mirëpret të tilla aktivitete, të cilat gjithnjë krijojnë mundësi për shkëmbimin e eksperiencave më të mira, që më pas do të ndihmojnë në kapërcimin e këtyre sfidave.

Gjithashtu, ajo garantoi angazhim maksimal të Administratës Doganore Shqiptare jo vetëm në këtë fazë të trajnimit për identifikimin e mallrave me përdorim të dyfishtë, por veçanërisht në zbatimin e këtyre njohurive në punën e përditshme në dogana, ç’ka lidhet ngushtë me rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e konsumatorit. 

Duke qenë se Administrata Doganore është një nga strukturat kyçe në kontrollin e eksporteve, Drejtoresha e Përgjithshme bëri të ditur se doganat në bashkëpunim me Autoritetin Licensues (AKSHE) kryejnë inspektime të përbashkëta në pikat doganore dhe komunikojnë rregullisht për të përmirësuar sistemin e kontrollit. Po ashtu, dogana ka të integruara në profile risku mallrat me përdorim të dyfishtë dhe vijon përmirësimin e këtyre praktikave.

Ndërsa i shprehu mirënjohje për mbështetjen e dhënë përfaqësuesit të Bashkimit Evropian z. Eric Martin dhe Koordinatorit Rajonal z. Matjaz Murovec, Drejtoresha e Përgjithshme nënvizoi se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për anëtarësimin në Bashkimin Europian është tërësisht e angazhuar në respektimin principeve të BE-së, gjatë transferimeve të këtyre mallrave dhe detyrimeve që rrjedhin nga anëtarësimi në Marrëveshjet Ndërkombëtare të mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.