DEKLARATË E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË DOGANAVE

Është shumë e vajtueshme që megjithë sqarimin e bërë dje, Partia Demokratike publikon sot përmes organit të saj të shtypit një foto të trukuar që s'ka asnjë lidhje me automjetet e doganës dhe kryetari i Partisë Demokratike sulmon nga Dibra institucionin tonë, për qëllime elektorale!

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, përsërit edhe njëherë se asnjë automjet apo burim njerëzor i këtij institucioni nuk është përfshirë në fushatën elektorale në Dibër. Fotografia e automjetit të pretenduar si provë fajësie në fakt e dëshmon vetë këtë të vërtetë, pasi targa e fotografuar nuk ekziston në flotën e automjeteve të Doganave Shqiptare. Kemi sqaruar se bëhet fjalë për automjete të vjetra që i janë kthyer koncesionarit në vitin 2014.

Duke i siguruar qytetarët dhe sipërmarrjen se ne jemi tërësisht të fokusuar në detyrat tona ligjore dhe s'kemi asnjë lidhje me akuzat e çuditshme të Partisë Demokratike e të kryetarit të saj, i bëjmë thirrje zotit Lulzim Basha të mos vazhdojë me shpifjet që cënojnë jo vetëm imazhin e institucionit tonë, po edhe integritetin e të gjithë njerëzve që kontribuojnë për të.